Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodh edhe dje në qytetin e Ferizajt, ku tre policë janë sulmuar fizikisht nga një person.
Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari që sulmoi policët në detyrë është: Robert Zefiq, 34 vjeçar.
Ky i fundit siç merr vesh Gazeta Sinjali dyshohet se ishte nën efektin e drogës kur i sulmoi tre zyrtarët policorë.
Këta të fundit ishin thirrur për të intervenuar, pasi i dyshuari kishte hyrë në pronën private të një qytetari dhe e kishte kanosur atë.
Më pas i ka sulmuar edhe policët, të cilët si pasojë e sulmit kanë kërkuar edhe tretman mjekësor.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar. Me vendim të prokurorit ai është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.