Incidenti i zjarrvënies që u raportua javën e kaluar në Ferizaj, ku dy persona ia vënë flakën një veture, dyshohet se u bë me motive të hakmarrjes. Fillimisht u arrestuan dy të mitur, ndërsa tashmë është kapur edhe i dyshuari kryesor, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka raportuar para dy ditësh se dy të miturit që u arrestuan janë kryesit e veprës penale, por që ata dyshohet se i porositi dhe i pagoi dikush tjetër.
Hetimi i nisur nga Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit rezultoi me identifikimin e të dyshuarit dhe arrestimin e tij.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht se personi që përfundoi në prangat e Policisë është Eduard Murtezi, rreth 24-vjeçar.
Murtezi është ndalur në kufi nga Policia dhe prej aty është shoqëruar për intervistim në Polici, ku edhe e zbuloi se i kishte paguar dy të miturit për t’ia vënë flakën veturës së viktimës.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se motivi i rastit dyshohet se është hakmarrja ndaj viktimës, i cili është njëri nga pronarët e lokalit ‘MonAmi’ në Ferizaj.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndaj të riut masën e ndalimit policor.
Lajmin për ndalimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.