image Ekskluzive: Ky është personi që i lidhi fëmijët që dyshohet se vodhën në lokalin e tij në Gjakovë - arrestohet

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është personi që i lidhi fëmijët që dyshohet se vodhën në lokalin e tij në Gjakovë – arrestohet

news image

Pas shtatë muajsh në arrati, Policia ka arritur të arrestojë personin që dyshohet se ka kryer veprën penale “Privim i kundërligjshëm i lirisë”, në qershor të vitit të kaluar në Gjakovë. Rasti lidhet me një vjedhje që dyshohet se kishte ndodhur në lokalin e të dyshuarit, që u zbulua pas denoncimit të tij,  raporton Gazeta Sinjali.

I dyshuari, më 12 qershor 2023, i kishte ndaluar dy fëmijë në lokalin e tij, për të cilët dyshonte se kishin kryer vjedhje dhe të njëjtit i kishte lidhur – pamje këto që ranë në duart e Policisë.

Sinjali mëson se personi që u arrestua lidhur me këtë rast është Kadri Hoti, i cili ka përfunduar në prangat e Policisë të martën pasdite.

Pas shoqërimit në stacion policor, i dyshuari është intervistuar lidhur me rastin.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshëm brenda afatit ligjor.

Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Gjakovë.

“Është arrestuar i dyshuari kosovar pasi i njëjti dyshohet se kishte kryer veprën e lartcekur (Privim i kundërligjshëm i lirisë). Lidhur me rastin me vendim të prokurorit personi i dyshuar është dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/