image Ekskluzive: Ky është personi që dyshohet se e keqtrajtoi seksualisht ish të dashurën, kërkohet nga Policia

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është personi që dyshohet se e keqtrajtoi seksualisht ish të dashurën, kërkohet nga Policia

news image

Ngacmimet, sulmet dhe dhuna seksuale ndaj vajzave dhe grave në Kosovë janë shndërruar në një fenomen shqetësues, pasi që pothuajse çdo ditë raportohen raste të tilla. Të dyshuarit shpeshherë janë persona të afërt me të cilët kanë qenë ose janë në lidhje dashurie. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur në Fushë Kosovë, Policia ka shpallur në kërkim një person, raporton Gazeta Sinjali.

Këtë herë, i dyshuari që po kërkohet, dyshohet për dhunimin e ish të dashurës së tij. Ngjarja e trishtë dyshohet të ketë ndodhur javën e kaluar në orët e para të mëngjesit, kur i dyshuari kishte shkuar te banesa e viktimës dhe me forcë e ka detyruar që të kryejnë marrëdhënie seksuale.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Elmi Zogajn, i cili akoma nuk ka rënë në prangat e Policisë.

Rastit të fundit dyshohet se i ka paraprirë dhuna psikike e vazhdueshme, që i njëjti ka ushtruar ndaj ish të dashurës, duke i shkaktuar shqetësim e frikë.

Madje, të njëjtat burime kanë bërë me dije për Sinjalin, se gjatë kohës sa çifti kanë qenë në lidhje dashurie, i dyshuari e ka incizuar të dashurën në momentet intime dhe e ka kërcënuar se do t’i shpërndajë.

Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë dhe ka rrëfyer për ngjarjen që ka përjetuar.

Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje, por ende nuk është siguruar prezenca e të dyshuarit.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të iniciohet rasti si “Dhunim”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/