image Ekskluzive: Ky është personi i arrestuar për rastin e vdekjes së 28-vjeçarit në Fushë Kosovë

Siguri

Ekskluzive: Ky është personi i arrestuar për rastin e vdekjes së 28-vjeçarit në Fushë Kosovë

news image

Pas rreth dy javësh trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ka humbur jetën i riu që pësoi lëndime të rënda trupore, pasi u sulmua nga një person në rrugën “Hajrullah Zymi” në Fushë Kosovë. Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, raporton Gazeta Sinjali.

Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë është Dionis Gashi, rreth 23-vjeçar.

Gashi u arrestua dje pasi vdiq viktima Rushit Konushevci, rreth 28-vjeçar, i cili po trajtohej në QKUK nga 12 dhjetori.

Ai po dyshohet se i shkaktoi lëndime të rënda viktimës, më 12 dhjetor, pas një mosmarrëveshje në komunikacion.

Trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion, ndërsa Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit ka ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Ndaj të dyshuarit, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.

“Lidhur me rastin, më 23.12.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit dërgohet në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/