Gazeta Sinjali mëson se i dyshuari në rastin e raportuar të vjedhjes në një lokal në Podujevë është Agim Sheholli, ish-drejtor i Shkollës Teknike “Fan Noli” në këtë komunë.
Sipas raportimit të rastit në Polici, qiraxhiu ka pretenduar se pronari i lokalit dyshohet se i ka marrë pijet nga hapësira që ai e shfrytëzon me qira.
Rasti është bërë publik pasi Sinjali ka publikuar pamje ku pretendohet se shihet një person duke marrë pije nga lokali, ndërsa më pas qiraxhiu e ka raportuar rastin në organet e rendit.
Lidhur me këtë ngjarje, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka pranuar informatën dhe se ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore e procedurale në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Ens Pllana, ka deklaruar se rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente.
“Policia e Kosovës ka pranuar informatën lidhur me rastin. Menjëherë pas pranimit të saj, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale, në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, ka deklaruar Pllana.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!