Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për një mega-aksion të gjerë të Policisë në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës që janë mobilizuar sot pasdite për t’i dhënë goditje krimit të fajdes dhe bixhozit të paligjshëm në regjionin e Prizrenit dhe Prishtinës. Përveç zyrtarit policor Luan Bytyqi që tashmë është arrestuar, Sinjali ka mësuar identitetin edhe të një të dyshuari tjetër, që pritet të kapet së shpejti.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se bëhet fjalë për Safet Kyçykun, i cili dyshohet për organizimin e bixhozit të paligjshëm për një periudhë të gjatë kohore.
Gazeta Sinjali nga burime të besueshme brenda strukturave të sigurisë në vend, mëson se ky mobilizim në këto përmasa vjen si rezultat i një pune të gjatë hetimore të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, nën menaxhim të Prokurorisë Themelore në Prizren, e të asistuar edhe nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e cila ka shpërfaqur se regjioni i Prizrenit është përdorur si fole për aktivitetin e fajdes dhe organizimin e lojërave të fatit në mënyrë të kundërligjshme.
Sinjali mëson se me urdhër të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake të Gjykatës Themelore në Prizren, do të realizohen bastisje në disa lokacione në Prizren dhe rrethinë, si dhe në disa lokacione në Prishtinë.
Po ashtu, me rastin e bastisjes në këto lokacione do të sekuestrohen pajisje elektronike, telefona të mençur, vetura e sende tjera të luajtshme, të cilat do të shërbejnë si prova gjatë fazes së mëtutjeshme të hetimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.