Posedimi i armëve ilegale është konsideruar në vazhdimësi një rrezik potencial për të gjithë, si për qytetarët, po ashtu edhe për institucionet. Policia e Kosovës në vazhdimësi gjatë kontrolleve has në persona, kryesisht të rinj që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë është zbuluar mbrëmë pas mesnate në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, ku Policia ndaloi një person.
Pas kontrollit, te i dyshuari 22-vjeçar, zyrtarët policorë kanë gjetur një armë zjarri dhe fishekë, që i mbante kundërligjshëm.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për armëmbajtje pa leje është Edmond Beka.
I dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tij për 48 orë dhe inicimin e rastit nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në 7.500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.