Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, Xhemajl Beqiri, rreth 34-vjeçar, është personi që përfundoi në prangat e Policisë në orët e para të mëngjesit pas një alarmi të ngritur nga sigurimi i diskotekës “Zone” në Prishtinë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se sigurimi i lokalit kishte njoftuar Policinë për një person që dyshohej se posedonte armë të gjatë, çka mobilizoi njësitet policore në vendngjarje.
Pas ndërhyrjes së Policisë, Beqiri u arrestua, ndërsa gjatë kontrollit në parkingun afër diskotekës u gjet një armë e gjatë e dyshuar e llojit kallashnikov.
Sinjali mëson se gjatë kontrollit të automjetit të të dyshuarit është gjetur edhe një karikator, ndërsa hetuesit kanë sekuestruar gjithsej një armë të gjatë, një karikator dhe 13 fishekë.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, por ka zgjedhur të mos deklarohet para hetuesve.
Me vendim të Prokurorit kompetent, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa i njëjti është dërguar në ndalim për 48 orë.
Sinjali ka siguruar identitetin e të arrestuarit, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!