image Ekskluzive: Ky është i dyshuari që u arrestua në Ambasadën e Hungarisë, prezantohet me dy identitete

Ekskluzive

Ekskluzive: Ky është i dyshuari që u arrestua në Ambasadën e Hungarisë, prezantohet me dy identitete

news image

Një rast jo fort i zakontë ka ndodhur të hënën në Ambasadën e Hungarisë në Prishtinë, ku një person i dyshuar është futur në objekt dhe ka rezistuar të largohet pavarësisht urdhrave të personave zyrtarë. Sinjali raportoi sot se i dyshuari përfundoi në pranga të Policisë dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Siç merr vesh Sinjali, personi i dyshuar, me dy identitete po dyshohet se shkoi në ambasadën hungareze mëngjesin e së hënës dhe ka kërkuar që ta marrë pasaportën, pa përfillur hapat që duhet ndërmarrë.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari është Ali Kastrati, i cili ka edhe një identitet tjetër si Albert Rezeberk.

Nga një zyrtare e ambasadës i është kërkuar të dyshuarit që të largohet nga objekti pasi nuk mund ta marrë dokumentin për shkak të refuzimeve.

I revoltuar, i njëjti ka vazhduar që të qëndrojë në ambasadë, duke kushtëzuar se nuk largohet pa e marrë pasaportën hungareze.

Përballë kësaj situate, nga ambasada e kanë denoncuar rastin në Polici dhe kanë kërkuar ndihmë.

Si rezultat i raportimit, njësitet policore e kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor.

Ndaj tij, të njëjtat burime thonë se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit për veprën penale “Cenimi i paprekshmërisë së banesave dhe objekteve”.

Ndryshe, Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënim me burgim deri në 3 vjet nëse dikush “pa autorizim apo në mënyrë të kundërligjshme hyn në banesë ose në objektin e mbyllur të personit tjetër apo nuk largohet nga objektet e tilla sipas kërkesës së personit të autorizuar”.

Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja të rastit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/