image Ekskluzive | Ky është i dyshuari që tentoi të dërgonte katër kallashnikovë të fshehur në dritare plastike drejt Francës

Siguri

Ekskluzive | Ky është i dyshuari që tentoi të dërgonte katër kallashnikovë të fshehur në dritare plastike drejt Francës

news image

Sinjali ka siguruar ekskluzivisht identitetin e personit të arrestuar në operacionin e Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda (DHKOKR), i dyshuar për organizimin e transportit të një arsenali armësh drejt Francës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i arrestuari është Blerton Haziri (27-vjeçar).

Sipas hetimeve, ai dyshohet se kishte organizuar dërgimin e katër pushkëve automatike AK-47, nëntë karikatorëve dhe 262 fishekëve, të fshehura në mënyrë të sofistikuar brenda dy dritareve plastike, me destinacion qytetin Mulhouse të Francës.

Armët u zbuluan dhe u sekuestruan nga hetuesit në depon e agjencisë turistike “DONI Tourist” në Podujevë, ndërsa operacioni u mbajt plotësisht konfidencial për disa ditë, në mënyrë që të mos komprometohej hetimi.

Sinjali mëson se Haziri u arrestua në flagrancë në momentin kur u paraqit për ta tërhequr dërgesën, duke menduar se ajo ishte kthyer ose kishte mbetur në transit.

Më pas, gjatë bastisjes në shtëpinë e tij në Gjilan, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe pjesë të tjera të armëve automatike AK-47.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Blerton Haziri është dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për këtë rast të rëndë të kontrabandës ndërkombëtare të armëve janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/