Kanosjet dhe kërcënimet me armë po vazhdojnë të jenë shqetësim serioz në vend, duke rrezikuar sigurinë publike dhe jetën e qytetarëve. Në një rast të fundit, një person ka shkaktuar panik duke kanosur me armë një qytetar në një lokal publik, çka ka alarmuar autoritetet e rendit.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se një rast i tillë është raportuar dje, në lokalin “Palma” në rrugën Kral Peter, në Mitrovicën e Veriut, ku një person i armatosur ka kanosur pronarin dhe qytetarët përreth.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 15:25, Policia është njoftuar për një shtetas të Kosovës të dyshuar për mbajtje të armës dhe kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj pronarit të lokalit. Pas daljes në vendngjarje, njësitet patrulluese kanë marrë përshkrimin e të dyshuarit dhe rreth 20 metra larg lokalit kanë arritur ta lokalizojnë atë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për Zivojin Ivkoviq, rreth 36-vjeçar, i cili është hasur me një thikë të hapur në dorë dhe një shishe alkooli, duke i rezistuar arrestimit. Pas neutralizimit, ai është dërguar në Stacionin Policor në Mitrovicën e Veriut.
Siç mëson Sinjali, në bazë të testit të alkoolit, Ivkoviq ka rezultuar me 0.74 mg/l, duke konfirmuar se ka qenë nën ndikimin e alkoolit në momentin e ngjarjes.
Një dëshmitar ka deklaruar për Policinë se rreth 30 minuta para incidentit, në rrugën “Çlirimi”, Ivkoviq kishte ngacmuar një qytetare me fjalë seksiste, përpara se të futej në lokalin “Palma” duke mbajtur dorën në brez dhe kërcënuar të pranishmit se kishte armë.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, i cili e ka cilësuar rastin si “Kanosje” dhe ka urdhëruar që i dyshuari të dërgohet në mbajtje për 48 orë.
Gazeta Sinjali do të sjellë zhvillime të mëtejme në lidhje me rastin.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!