Gazeta Sinjali pak më parë raportoi për një ngjarje të rëndë që ka ndodhur në fshatin Banjë të Malishevës, ku një person ka mbetur i vrarë pasi u qëllua me armë zjarri. I dyshuari është dorëzuar në stacion policor dhe shumë shpejt ndaj tij pritet të merren veprime ligjore.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Isuf Zogaj.
Sipas sinjalizuesve të Sinjalit, rasti tragjik ka ndodhur për motive banale, ku Zogaj dyshohet se ka privuar nga jeta shokun e tij.
Rastin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, i cili tha se vdekja e viktimës është konstatuar në vendin e ngjarjes.
“Rreth orës 07:15 është raportuar se në fshatin Banjë-Malishevë, viktima mashkull i moshës madhore është gjetur pa shenja jetë, dyshohet të jetë qëlluar me armë zjarri. Ekipi mjekësor i cili ka dalë në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e tij. Një person, po ashtu mashkull i moshës madhore, është dorëzuar në Stacionin Policor në Malishevë dhe nga hetimet e para dyshohet se i njëjti, për motive ende të panjohura, ka qëlluar viktimën me armë zjarri. Njësitet e nevojshme policore kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar prokurori i shtetit në koordinim të cilin janë duke u ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore”, tha Elezaj.
Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja lidhur me rastin.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.