Pas disa ditësh në arrati, Policia ka arrestuar të dyshuarin për rastin e tentim vrasjes në rrugën “Haxhi Zeka” në Prishtinë. Incidenti i 7 janarit u denoncua nga dy viktimat, që raportuan se janë të kanosur në vazhdimësi nga i dyshuari. I dyshuari është dërguar në mbajtje dhe tashmë janë zbuluar detajet e rastit, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari që përfundoi në prangat e Policisë lidhur me këtë rast është Fatlum Bajrami, rreth 28-vjeçar.
Sinjali ka siguruar pamjet ku shihet se si i dyshuari ua zuri pritën dy viktimave dhe ua drejtoi armën.
Motivet e rastit akoma nuk dihen, por që tashmë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, kanë nisur hetimet në drejtim të veprës penale “Vrasje në tentativë”.
Pas arrestimit të 28-vjeçarit, njësitet policore kanë kryer kontroll në shtëpinë e të dyshuarit, ku kanë gjetur dhe konfiskuar një armë me gaz dhe disa fishekë.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë dhe ka bërë të ditur se me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.