Sinjali ka mësuar identitetin e shoferit që dyshohet se shkaktoi aksidentin tragjik në orët e para të mëngjesit në Pikën e Kalimit Kufitar në Vermicë, ku humbi jetën një zyrtar policor gjatë kryerjes së detyrës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Dardan Demaj rreth 28 vjeç, i cili me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë.
Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, aksidenti ka ndodhur rreth orës 02:30, kur Dardan Demaj, duke drejtuar një Porsche Cayenne, po lëvizte në autostradën “Ibrahim Rugova” në drejtim të Pikës Kufitare Vermicë.
Dyshohet se, si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet dhe rrethanat e rrugës, ai ka goditur zyrtarin policor Rexhep Gashi rreth 60 vjeç, i cili ishte në patrullim në këmbë dhe po kalonte rrugën.
Përplasja rezultoi fatale, ndërsa vdekja e policit u konfirmua në vendin e ngjarjes nga ekipi emergjent.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë Prokurori kujdestar, drejtues të Policisë së Kosovës dhe njësitë kompetente hetimore, të cilat kanë kryer ekzaminimet e nevojshme.
Me urdhër të Prokurorit, trupi i pajetë i zyrtarit policor është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personi i përmendur në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!