Gazeta Sinjali ka mësuar ekskluzivisht identitetin e personit të arrestuar nën dyshimet për një rast të rëndë dhunimi, që dyshohet se ndodhi të enjten në Llapushnik të Drenasit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në pranga ka përfunduar Enver Bytyqi (55-vjeçar), i cili dyshohet se ka dhunuar një grua 35-vjeçare, pasi fillimisht i kishte ofruar transport drejt Malishevës.
Sipas kallëzimit të viktimës, me inicialet H.S., ajo kishte udhëtuar me autobus nga Bardhi i Madh drejt Komoranit, për të vazhduar më pas për në shtëpinë e nënës së saj në fshatin Lladroc. Teksa po priste transport pranë furrës “Oreksi”, pranë saj ishte ndalur një veturë e kuqe, drejtuesi i së cilës i ishte ofruar ta dërgonte në destinacion.
Viktima ka deklaruar se, pasi i kishte treguar se nuk kishte para për të paguar udhëtimin, i dyshuari e kishte bindur të hipte në veturë. Megjithatë, në vend që ta dërgonte në Lladroc, ai dyshohet se kishte ndaluar automjetin në afërsi të kishës në Llapushnik, kishte kaluar në ulësen e pasagjerit dhe, nën detyrim, e kishte detyruar të zhvishej, ku më pas dyshohet se ka kryer akt seksual pa pëlqimin e saj.
Menjëherë pas raportimit të rastit, viktimës i është ofruar trajtim mjekësor dhe, me urdhër të Prokurorit, është dërguar për ekzaminim mjeko-ligjor.
Falë veprimeve intensive hetimore të ndërmarra nga Njësia për Hetimin e Krimeve të Rënda, i dyshuari është identifikuar dhe arrestuar po të njëjtën mbrëmje, rreth orës 21:00.
Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, Enver Bytyqit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!