Një konflikt verbal mes dy të rinjve eskaloi të premten në mbrëmje në Gjilan dhe për pasojë një person përfundoi në ndalim policor. I dyshuari u dorëzua një ditë më pas, ndërsa rasti tashmë është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Gjilan, raporton Gazeta Sinjali.
I riu që u përfshi në këtë rast po hetohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”, pasi dyshohet se e sulmoi fizikisht me një shkop viktimën.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht nga burimet brenda Prokurorisë se i dyshuari që u ndalua është Lenard Ukshini, rreth 25-vjeçar.
Ukshini u përfshi në përleshje me viktimën, një 19-vjeçar, pas një konflikti që dyshohet se ka pasur me të për shkak të xhelozisë mes tyre.
Për pasojë, pas fjalosjes, ai e ka goditur me shkop druri viktimën, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Policia ndërmori veprimet e nevojshme dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari u dërgua në mbajtje për 48 orë.
Lajmi është bërë ditur edhe nga Policia.
“Në lidhje me rastin është raportuar se me 21.12.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe i njëjti pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.