image Ekskluzive: Ky është i arrestuari për sulmin ndaj policit në Suharekë, shkak dënimi për parkim ilegal

Siguri

Ekskluzive: Ky është i arrestuari për sulmin ndaj policit në Suharekë, shkak dënimi për parkim ilegal

news image

Shqiptimi i gjobave për thyerjen e rregullave në trafik bëhet shpesh shkaktar që shoferët të revoltohen dhe t’i pengojnë zyrtarët policorë. Përpos ofendimeve, ata eskalojnë edhe në kërcënime dhe sulme fizike, duke ua vështirësuar kryerjen e detyrave zyrtare, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ndodhi të enjten në rrugën “Brigada 123” në Suharekë, ku Policia arrestoi një person, i cili u kap me policët që e dënuan dhe për pasojë përfundoi në ndalim policor.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u prangos për sulm ndaj një zyrtari policor është Naim Basha.

Basha fillimisht është dënuar për parkim ilegal dhe pasi Policia ia ka lënë fletëparaqitjen, i njëjti i revoltuar në masë të madhe.

Bazuar në informacionet e para, i dyshuari e ka kapur zyrtarin policor për krahu dhe aty ka eskaluar situata.

Një njësi policore ka asistuar dhe e ka arrestuar e shoqëruar të dyshuarin në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.  

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/