Gazeta Sinjali raportoi për një incident me armë zjarri mbrëmë pas mesnate në fshatin Haxhaj në Rugovë të Pejës, ku një person është plagosur me armë zjarri. Rasti po dyshohet se ka ndodhur aksidentalisht, ndërsa tashmë Policia po ndërmerr veprimet e nevojshme për t’i zbardhur rrethanat.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua lidhur me këtë rast është Flakron Elezaj, 25-vjeçar.
Ai po dyshohet se e ka qëlluar me armë 25-vjeçarin Ardit Elezaj, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Rasti ka ndodhur në shtëpinë e viktimës, rreth orës 02:00 të mëngjesit.
I riu që u plagos është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Pejës e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se Flakron Elezaj që dyshohet se e ka kryer veprën është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, e po ashtu edhe dëshmitarët që kanë qenë në vendin e ngjarjes.
Lidhur me rastin, Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit po ndërmerr veprimet e nevojshme hetimore.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.