image Ekskluzive: Ky është i arrestuari për përgatitje të veprave terroriste, i gjenden tri zolla, municion e drogë

Siguri

Ekskluzive: Ky është i arrestuari për përgatitje të veprave terroriste, i gjenden tri zolla, municion e drogë

news image

Foto ilustruese


Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda ka zhvilluar një aksion që rezultoi me arrestimin e të dyshuarit për armë ilegale, shitblerje të narkotikëve dhe përgatitje të veprave terroriste, i cili ishte cak për shkak të veprimtarisë së kundërligjshme, raporton Gazeta Sinjali.

Policia ka kryer bastisje në një lokacion në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë, ku janë sekuestruar mjete shpërthyese, municion e drogë.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që u arrestua për këtë rast është Burim Dibrani, rreth 44-vjeçar.

Gjatë kontrollit që u krye në banesën e tij u gjetën tri zolla, fishekë të ndryshëm, substancë narkotike të llojit marihuanë, peshore, pajisje të tjera,  e telefon – që u sekuestruan si dëshmi.

Dibrani pas arrestimit dhe procedurave të tjera, me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Brenda afatit ligjor, pritet të ushtrohet edhe kërkesa për masën e sigurisë ndaj tij, nën dyshimet se ka kryer tri vepra penale.  

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/