Rastet e mashtrimit me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të dobisë pasurore, qoftë në shuma të majme parash apo edhe për pak të holla, janë goxha të shpeshta në vendin tonë. Mashtruesit janë në gjendje të shfrytëzojnë çdo situatë dhe në çdo formë të arrijnë që të kapin sado pak para, raporton Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë që ishte denoncuar në fillim të muajit gusht, Policia kishte shpallur në kërkim një person, i cili ka përfunduar në pranga tek gjatë ditës së djeshme.
I dyshuari që e mashtroi punëtoren e një marketi në Fushë Kosovë është kapur në Gjilan dhe tashmë ndodhet në mbajtje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i arrestuar është Ardian Ibrahimi, rreth 45-vjeçar.
Ibrahimi po dyshohet se më 7 gusht, në marketin ‘Eli Ab’ në Fushë Kosovë e kishte mashtruar një arkëtare, duke arritur që ta vë në lajthitje dhe t’ia marrë 50 euro.
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, i dyshuari fillimisht i kishte thënë punëtores që po dëshironte që një kartëmonedhë prej 50 euro t’ia kthente në të imëta – para këto që s’i posedonte fare.
Pas kësaj, ai dyshohet se i mori disa produkte dhe shkoi sërish te arka, duke e mashtruar arkëtaren se gjoja ia ka dhënë 50 euro dhe po e kërkonte kusurin.
45-vjeçari arriti ta mashtrojë punëtoren, duke i marrë paratë dhe u largua nga aty, për të qëndruar në arrati deri të martën.
Pas arrestimit dhe shoqërimit në stacion policor, i dyshuari ka deklaruar se është përdorues i narkotikëve dhe se me paratë që i përfitoi nga mashtrimi, ka siguruar drogë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme, brenda afatit ligjor.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
“Më datë 17.09.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar i cili ka qenë në kërkim policor pasi që dyshohet se më datën 07.08.2024 ka kryer veprën penale te lartcekur në një market në Fushë Kosovë duke mashtruar arkëtaren e marketit. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.