Mosmarrëveshjet për motive të ndryshme, e që shpeshherë dalin të jenë banale bëhen mollë sherri e kërcënimeve e përleshjeve në vendin tonë. Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur së fundmi në fshatin Halabak në Podujevë, ku u arrestua një person për kanosje, raporton Gazeta Sinjali.
Një konflikt që nisi lidhur me qarkullimin kah rruga ku ndodhet shtëpia e të dyshuarit eskaloi në kanosje, për çka i njëjti u denoncua nga viktima.
Sinjali ka mësuar se personi i arrestuar për këtë rast është Blerim Maloku, rreth 39-vjeçar.
Sipas informacioneve të para, nga dëshmia e viktimës është kuptuar se i dyshuari e ka kërcënuar teksa ishte duke drejtuar me minibusin e tij – duke i kërkuar që të mos lëvizë kah shtëpia e tij.
Pasi Policia është vënë në dijeni për rastin, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij, me ç’rast e ka mohuar ta ketë kërcënuar viktimën.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e rastit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka kanosur viktimën mashkull kosovar. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari dërgohet në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.