Për disa raste të gjuajtjeve me armë që kanë ndodhur në të njëjtin lokacion në Prishtinë, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, Policia ka arritur të arrestojë dy persona të dyshuar. Fillimisht është arrestuar njëri prej tyre më 5 dhjetor, ndërsa gjatë ditës së djeshme është kapur edhe i dyshuari tjetër, raporton Gazeta Sinjali.
I dyshuari i parë po hetohet për moslajmërim të veprave penale, ndërsa i dyshuari që u prangos dje është ndaluar për përdorim të armës dhe armëmbajtje pa leje.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që ka shtënë me armë ilegale, i cili përfundoi në ndalim policor të hënën është Driton Berisha.
Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast është bërë e ditur se te i njëjti është gjetur një armë, që është sekuestruar si provë materiale.
Pas arrestimit, Policia ka kryer edhe bastisje në shtëpinë e Berishës dhe më pas i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari tjetër që u arrestua më 5 dhjetor është T.Millaku, i cili po hetohet në procedurë të rregullt, nën dyshimet se nuk i ka denoncuar rastet e të shtënave me armë edhe pse ka qenë në dijeni për identitetin e kryesit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.