Numri i rasteve të ngacmimeve, sulmeve e dhunës seksuale në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Vetëm ditët e fundit, Sinjali ka raportuar për disa ngjarje të tilla dhe mjaft të trishta që dyshohet se kanë ndodhur në Prishtinë e Pejë. Edhe gjatë ditës së djeshme, në Policinë e Kosovës, u denoncua një tjetër rast, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, rasti ka ndodhur në Mitrovicë të Veriut, ku Policia ka arrestuar një burrë 53-vjeçar, i dyshuar për dhunimin e një gruaje 41 vjeçe.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që përfundoi në prangat e Policisë është Qerkin Mustafa, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Bazuar në informacionet e para, ishte viktima ajo e cila ka kërkuar ndihmë në Polici, ku ka rrëfyer se është dhunuar nga i dyshuari.
Sipas dëshmisë së saj, të dhënë para hetuesve policorë, ngjarja ka ndodhur në shtëpi dhe burri i dyshuar ka qenë në gjendje të dehur, kur dyshohet se e ka kryer aktin.
Si rezultat i intervenimit të Policisë, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme dhe është arrestuar 53-vjeçari.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia dhe ka bërë të ditur se rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Dhunimi”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ka kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.