Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se personi i tretë i arrestuar në rastin e dyshuar për ushtrim ndikimi në Prizren është Bekim Krasniqi.
Sipas burimeve të sigurta, ai ka qenë pjesë e një skeme ku, së bashku me avokatin Bekim Parallangaj dhe zyrtarin e Gjykatës, Nusret Pepniku, dyshohet se u premtonin palëve ndihmë për të ndikuar në vendime gjyqësore, konkretisht për lirimin nga paraburgimi të një të dyshuari për fajde, në këmbim të shumave të konsiderueshme të parave.
Bekim Krasniqi, sipas të dhënave, është paraqitur si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme, me qëllim të mashtrimit dhe bindjes së palës së dëmtuar për ndikim të mundshëm institucional.
Hetimi është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prizren, nën drejtimin e kryeprokurorit Petrit Kryeziu, me masa të fshehta të përgjimit dhe vëzhgimit. Njëri nga të dyshuarit është kapur në flagrancë.
Sinjali do të sjellë detaje të reja posa ato të bëhen të ditura nga organet e drejtësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/