Siguria publike në Kosovë konsiderohet se cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Dy raste të tilla kanë ndodhur në dy mobishope në Deçan para disa ditësh dhe Policia tashmë ka arrestuar të dyshuarin, raporton Gazeta Sinjali.
Policia Rajonale në Pejë e ka konfirmuar se i dyshuari është prangosur në pikën kufitare në Vërmicë dhe ndaj tij është lëshuar urdhri për ndalim.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi i arrestuar është Imer Jupa, rreth 29-vjeçar.
I riu po dyshohet se më 1 nëntor ka kryer vjedhje në dy mobishope nё rrugën “Luan Haradinaj” në Deçan, ku ka thyer dyert dhe ka ‘avulluar’ telefona, laptopë e pajisje tjera teknologjike – që kapin vlerën e 10 mijë eurove.
Po ashtu, të njëjtat burime kanë bërë me dije se Jupa ka kryer vjedhje edhe në një kioskë në rrugën “Dëshmorët e Kombit”.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.