Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri në biznese. Një ndër hajnat që dyshohet për plot vjedhje ka rënë sot në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se personi që u arrestua për së paku tri vjedhje të rënda dhe dy raste të vjedhjeve është Adnan Berisha, rreth 21-vjeçar.
I riu është arrestuar sot në Prishtinë, ndërsa rastet për të cilat dyshohet kanë ndodhur kryesisht këtë muaj.
Lajmin për arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prishtinë, me ç’rast është bërë e ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Sot nga Hetuesit e Drejtorisë së Kryeqytetit, është identifikuar dhe arrestuar një person i dyshuar, për vjedhje të rëndë të raportuar me 22.08.2024 në stacionin Qendra në Prishtinë.
Personi i arrestuar: A.B. mashkull, 21 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, pas verifikimit, në të dhënat e policisë ka rezultuat se ishte i kërkuar për së paku tri raste të tjera të vjedhjeve të rënda dhe dy vjedhje.
Personi i dyshuar me vendim prokurorit të shtetit është dërguar në mbajtje dhe ndaj tij është iniciuar procedurë për rastet në të cilat dyshohet të jetë i përfshirë.”
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.