image Ekskluzive: Ky është dilleri i drogës që u kap me 11 kg marihuanë në Bërnicë të Prishtinës

Siguri

Ekskluzive: Ky është dilleri i drogës që u kap me 11 kg marihuanë në Bërnicë të Prishtinës

news image

Një aksion i Policisë së Kosovës, i zhvilluar mbrëmë në fshatin Bërnicë në Prishtinë, rezultoi me sekuestrimin e 11 kg marihuanë dhe me arrestimin e një personi të dyshuar si diller. Operacioni i koduar si ‘Transferi’ u zhvillua nga njësitë e Antidrogës në Ferizaj dhe në Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

I dyshuari tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor dhe ndaj tij është iniciuar hetimi.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që ra në prangat e Antidrogës është Enis Tmava, 21-vjeçar, i cili ka qenë në kërkim – nën dyshimet për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve.

Gjatë aksionit, janë gjetur dhe sekuestruar edhe rreth 600 euro para të gatshme.

Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës, hetues nga Njësia e antidrogës në Ferizaj pas punës së vazhdueshme profesionale në një rast të mëparshëm ku ishin arrestuar dy persona të dyshuar dhe ishin kapur disa gramë marihuanë, me datë 06.11.2024 kanë vazhduar me punën e tyre në kërkim të personit të dyshuar shitës me ç‘rast gjatë në orët e pasdites gjatë një operacioni taktik të koduar me emrin “Transferi” në funksion të zbatimit të Urdhëresës së Gjykatës Themelore në Ferizaj, ndihmuar edhe nga antidroga në Prishtinë, është realizuar kontroll i një shtëpie me objekte përcjellëse në fshatin Bernicë të poshtme Komunës së Prishtinës.

Gjatë operacionit të kontrollit është gjetur sasi e dyshuar për marihaunë me peshë totale rreth 11 kg, e kamufluar në kavanoz plastik.

Deri në këtë fazë një person është arrestuar, rasti vazhdon të hetohet dhe të gjitha veprimet tjera do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/