Një aksion i Njësisë së Antidrogës në asistim me stacionin policor në Lipjan që u zhvillua të hënën në Lipjan, rezultoi me arrestimin e një personi të dyshuar, njëri për shitje dhe shpërndarje të narkotikëve. Gjatë operacionit u zhvilluan edhe bastisje, me ç’rast u sekuestrua një sasi e drogës, raporton Gazeta Sinjali.
Aksioni u krye në fshatin Magure, ku Policia i shkoi në shtëpi dillerit që dyshohej se po bënte shitjen e substancave narkotike.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se i dyshuari që përfundoi në pranga të Policisë është Avni Berisha, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.
Në shtëpinë e tij, Policia sekuestroi drogë të llojit marihuanë dhe kokainë, e ndarë në rreth 30 qese, që u gjetën të fshehura në tualet.
I njëjti u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor, ku u intervistua për veprën penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.
Pas përfundimit të procedurave, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari u dërgua në mbajtje.
Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.
Shënim: Personat apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.