Gazeta Sinjali raportoi se sot Njësiti Kundër Krimit Ekonomik dhe Korrupsionit i Prokurorisë Themelore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka realizuar një aksion të gjerë në Prishtinë, duke bastisur katër lokacione dhe duke arrestuar dy persona të dyshuar: V.H., avokat, dhe D.I., instruktor.
Aksioni është ndërmarrë pas një hetimi disa mujor që ka nxjerrë dyshime serioze për përfshirjen e të dyshuarve në falsifikim dokumentesh, legalizim të përmbajtjes së rreme dhe mashtrim, duke përfituar për vete dobi pasurore në shuma që dyshohet të jenë disa milionëshe.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Venhar Hana është avokati i përfshirë në këtë rast. Gjatë aksionit janë sekuestruar dokumente të cilat lidhen me veprat penale që janë duke u hetuar. Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
Njësiti i Inteligjencës Financiare pati përpiluar një raport mbi lëvizjet financiare dhe me prona të avokatit Venhar Hana, që për një kohë ka qenë Shef i Zyrës Ligjore në Shoqatën e Sigurimeve dhe më vonë ka marrë pagesa edhe për përfaqësim të BKS-së me biznesin e tij. Në raportin e përpiluar nga hetuesia e Policisë së Kosovës, u tha se mënyra se si pronat janë transferuar disa herë është e dyshimtë, dhe në një rast, pronari serb i tokës konsiderohet e paligjshme.
Një prej pronave të dyshimta është ajo në Çagllavicë, me sipërfaqe 536 metra katrorë, që kaloi disa herë nga dora në dorë brenda vitit të kaluar.
Në këto raste, dokumentet po i nënshkruante avokati Venhar Hana, i autorizuar nga një serbe, Slavica (Rade) Mikic, si pronare e tokës. Raporti i Policisë thekson se këto transaksione janë të dyshimta dhe përdorimi i fjalës “dyshimtë” është bërë 12 herë në një raport prej 10 faqesh.
Sipas raportit, në të njëjtën ditë, një pronë me të njëjtën sipërfaqe dhe regjistrim është shitur pesë herë nga avokati Hana tek pesë persona të ndryshëm, me çmim të njëjtë prej 9500 euro. Ky informacion ka ngritur dyshime të mëdha mbi legjitimitetin e këtyre transaksioneve.
Avokati Hana pati reaguar lidhur me këto akuza, duke thënë se ai ka ndërmarrë të gjitha veprimet sipas ligjit dhe sipas autorizimeve noteriale që ka pasur. Ai pati theksuar gjithashtu se nuk ka pasur ndonjë hetim të formalizuar dhe se ai është intervistuar vetëm si dëshmitar në lidhje me disa çështje të tjera, duke mohuar që të ketë kryer ndonjë vepër penale.
Raporti i Policisë gjithashtu ka zbuluar se për muajin korrik 2022, firma e avokatit Hana ka depozituar 230 mijë euro në llogarinë e personit që ai përfaqësonte, Slavica Mikic. Policia ka dokumentuar gjithashtu se një person tjetër ka tërhequr disa herë nga llogaria e Mikic 9500 euro dhe ka bërë transaksione të tjera të dyshimta.
Hetimet për këto veprime vazhdojnë dhe Prokuroria Speciale është e angazhuar për trajtimin e këtij rasti, ndërsa avokati Hana është thirrur për t’u intervistuar në lidhje me veprimet e tij në lidhje me transaksionet dhe pronat e dyshimta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/