Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, ka njoftuar mbrëmë se sekretari i saj, Besim Latifi, është sulmuar nga bashkëpunëtori i ngushtë i kryetarit të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.
Për rastin sot është arrestuar zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë.
Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuar është: Rinor Hajrullahu, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Shpejtim Bulliqit, kryetarit të komunës së Podujevës.
Siç mëson Gazeta Sinjali, Hajrullahu e ka sulmuar Latifin derisa ishin në një lokal. Ky i fundit e ka lajmëruar rastin në Polici.
Zyrtarët policorë menjëherë pasi e kanë pranuar informatën kanë nisur hetimet për rastin dhe sot e kanë arrestuar Hajrullahun si të dyshuar për ‘kanosje’.
Policia ka njoftuar se i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.
Ndryshe, për rastin ka reaguar mbrëmë vonë dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë.
Në reagimin e saj thuhej se incidenti ka ndodhur pa ndonjë problem paraprak.
Sipas kësaj dege, pushteti lokal në Podujevë, përmes sulmeve të tilla, ka për qëllim ta ndalë zërin opozitar.
“Ai për ta realizuar këtë nuk është duke zgjedhur as forma, e as veprime. Por, as nuk na kanë ndalur e as nuk do të na ndalin, në përmbushjen e misionit tonë si opozitë e vetme në Podujevë”, thuhej ndër të tjera në reagim.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.