Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë ditës së sotme në Prizren, ku një 62-vjeçar ka humbur jetën në rrethana tragjike, pasi dyshohet se ka rënë nga kulmi i shtëpisë së tij, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se viktima është Sabit Zogaj (62-vjeç).
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur në rrugën “Kalaja e Krujës”, ku ekipet e Emergjencës dhe Policia janë njoftuar për një person të gjetur pa shenja jete.
Nga informacionet e para, një punëtor që ndodhej në shtëpinë e viktimës e ka gjetur 62-vjeçarin të shtrirë në tokë dhe ka kërkuar menjëherë ndihmë mjekësore. Mjeku që ka mbërritur në vendngjarje ka konstatuar vdekjen e tij.
Dyshohet se Sabit Zogaj ka rënë nga kulmi i shtëpisë, nga një lartësi prej rreth 8 deri në 9 metrash, megjithatë shkaku i saktë i rënies ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e Policisë, hetuesit e stacionit, Hetimet Rajonale dhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së 62-vjeçarit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!