Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhune psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre, por edhe anëtarët tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në Prishtinë, ku një grua është rrahur nga partneri i saj me të cilin bashkëjetonte.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Bajram Kelmendi”, ku i dyshuari 46-vjeçar e ka sulmuar fizikisht bashkëjetuesen e tij 32-vjeçare, duke i shkaktuar lëndime trupore dhe më pas ka ikur nga vendi i ngjarjes.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari në lidhje me këtë rast është Ardijan Ibrahimi, i cili po kërkohet nga Policia e Kosovës dhe ndaj tij tashmë është lëshuar urdhër arresti.
Pas incidentit, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërsa në vendngjarje ka arritur Policia, e cila ka marrë deklaratën e saj dhe ka intervistuar një dëshmitare.
Njësia për Mbrojtjen e Viktimave dhe Qendra për Punë Sociale janë njoftuar për rastin, ndërkaq Policia ka lëshuar urdhër mbrojtës emergjent për viktimën.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa hetimet janë në vazhdim për kapjen e të dyshuarit.
Sinjali do t’ju mbajë të informuar për çdo zhvillim të ri lidhur me këtë rast.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.