image Ekskluzive: Ky është 30-vjeçari që u ther me thikë në Mitrovicë, prangoset i dyshuari

Siguri

Ekskluzive: Ky është 30-vjeçari që u ther me thikë në Mitrovicë, prangoset i dyshuari

news image

Një 30-vjeçar është plagosur me thikë gjatë një konflikti në orët e para të mëngjesit në Mitrovicë, ndërsa tashmë janë mësuar detaje për viktimën e rastit.

Sinjali mëson se i plagosuri është Blerim Mustafa, rreth 30-vjeçar, i cili pas ngjarjes është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Mitrovicës.

Sipas informacioneve të siguruara, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:20 në rrugën “Artim Jashari” në Mitrovicë. Policia ishte njoftuar fillimisht se në Spitalin Rajonal ishte dërguar një person i plagosur.

Në spital, zyrtarët policorë kanë kontaktuar me viktimën, e cila kishte plagë në kokë dhe nën kraharorin e majtë, që dyshohet se janë shkaktuar me një mjet të mprehtë – thikë.

Lidhur me rastin, Policia ka arrestuar të dyshuarin Besart Rama, rreth 24-vjeçar, i cili dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.

Në vendin e ngjarjes, hetuesit dhe krimteknikët kanë sekuestruar një thikë, një telefon celular dhe një motoçikletë, për të cilën dyshohet se drejtohej nga viktima në momentin e sulmit.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se motivi i incidentit ende nuk është zbuluar. I dyshuari, gjatë testimit, ka rezultuar me 1.48 promil alkool në gjak dhe me urdhër të Prokurorit është mbajtur nën mbikëqyrje deri në krijimin e kushteve për procedurat e mëtejshme.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/