Gazeta Sinjali ka raportuar mbrëmë për aksionin e Antidrogës në parkingun përballë qendrës tregtare ‘Albi Mall’ në Prishtinë, ku pas incidenteve që ndodhën mbeti e lënduar një rreshtere e Policisë. Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për 27-vjeçarin, Përparim Rama.
Sipas burimeve Rama fillimisht ishte intervistuar në cilësinë e dëshmitarit, e më pas i njëjti ka rezultuar se është i përfshirë në rast si i dyshuar.
Pas arrestimit, me urdhër të prokurorit, 27-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Vrasje në tentativë’.
Ndërkohë po vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe arrestimin e personave tjerë të dyshuar.
Si ka ndodhur e gjithë ngjarja?
Njësiti i Antidrogës ka zhvilluar mbrëmë një aksion në parkingun e ‘Albi Mall’ në Prishtinë, ku fillimisht është vërejtur një veturë luksoze nga e cila ka dalë një person.
Burimet bëjnë me dije se posa Policia ka tentuar që të intervenojë dhe ta bllokojnë veturën teksa kanë urdhëruar të dyshuarit që të ndalen, personi që ka qenë duke drejtuar automjetin ka vozitur në përpjekje që të ikë.
Si pasojë e kësaj, ai ka goditur zyrtaren policore e cila po merrte pjesë në aksion dhe e njëjta më pas është transportuar për në spital.
Gjatë gjithë këtij aksioni, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, por që të dyshuarit kanë arritur që të largohen nga vendi i ngjarjes.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.