Një koment kërcënues i publikuar në rrjetin social Facebook ka përfunduar në Policinë e Kosovës dhe tashmë po hetohet si vepër penale e kanosjes.
Sipas informacioneve të siguruara, më 3 qershor 2026, rreth orës 10:30, Hysni Gucati është paraqitur në stacion policor për të raportuar një kërcënim publik të drejtuar ndaj tij në një postim të publikuar nga faqja “Diaspora me Krye”.
Në postimin ku ishte publikuar fotografia e Gucatit me mbishkrimin “Prokuroria Heton Hysni Gucatin”, një person i identifikuar si Eqerem Avdullahu kishte komentuar: “Ket derr duhet pushkatu”.
Gucati ka deklaruar para hetuesve se është ndier seriozisht i kërcënuar nga ky koment dhe se motivi i mundshëm lidhet me pozitën e tij si kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së dhe mbështetjen e tij politike ndaj PDK-së.
Burime të afërta me hetimin bëjnë të ditur se rasti është iniciuar nga Policia si “Kanosje”, ndërsa pritet të ndërmerren veprime të mëtejme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë penale të personit të dyshuar.
Hetimet lidhur me rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.