image Ekskluzive: Kush është pronari i kompanisë në Pejë që i lëshoi fatura fiktive mobil shop-it që kishte kontratë me Telekomin prej 400 mijë eurosh - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

107629

Të shëruar

105200

Të vdekur

2250

Ekskluzive: Kush është pronari i kompanisë në Pejë që i lëshoi fatura fiktive mobil shop-it që kishte kontratë me Telekomin prej 400 mijë eurosh

news image

Në vazhdën e hetimit për keqpërdorimet në Telekomin e Kosovës lidhur me përvetësimin e telefonave mobil në vlerë prej 400 mijë eurosh, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit ka arrestuar dje edhe Afrim Pupovcin, pronar i kompanisë “K.KOPEX SH.P.K”, me bazë në Pejë.

Arrestimi i tij, siç merr vesh Sinjali, është realizuar për shkak te dyshimit se biznesi “K.KOPEX SH.P.K” i ka lëshuar faktura fiktive biznesit “Zone Mobile”, i cili ishte kontraktor i Ndërmarrjes Publike “Telekomi” për furnizim me telefona mobil, kontratë që parashihte shitjen e telefonave mobilë në vlerë prej 400 mijë eurosh.

Burimet bëjnë me dije se hetuesit policor kanë gjetur një varg provash të cilat provojnë se biznesi i Pupovcit nuk ka realizuar asnjë import të telefonave dhe rrjedhimisht faturat për kompaninë “Zone Mobile” kanë qenë fiktive.

Arrestimin e tij për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe vëllai i Pupovcit. Megjithatë ai ka thënë se vëllain nuk e ka fajtor, por për të gjitha këto fajet i ka shoqëria.

“Vëllai im është keqpërdor nga shoqëria. Ai është kthy nga Norvegjia dhe është në Kosovë që pesë vite. Ai e ka çel firmën dhe ka mendu me bë diçka, por fajtor nuk është. Ai asgjë nuk ka në dorë, ai nuk ka kartelë bankare e kurrgjo hiq. Prej dje që është arrestu për t’cilën më kanë informu policia, nuk di asgjë”, ka deklaruar ai.

I pyetur për dyshimet që rëndojnë ndaj tij, vëllai i Pupovcit tha se nuk është në dijeni për to.

Biznesi “K. KOPEX SH.P.K.”, figuron edhe në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, me pronar Afrim Pupovcin. Aktivitet primar i kësaj kompanie është tregtia me shumicë e lëndëve djegëse të ngurta, të lëngëta ose të gazta dhe produkteve të lidhur me to, teksa kapital të raportuar ka vetëm 5 mijë euro.

Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe me “Zone Mobile”, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm deri në publikimin e artikullit.

Përveç pronarit te “K.KOPEX” i cili u arrestua dje, burimet thonë se do të ketë edhe arrestime të reja sepse numri i personave të përfshirë në keqpërdorimet e aseteve të Telekomit, është edhe më i madh.

Ndryshe, në fund të marsit katër persona ishin arrestuar pasi dyshoheshin për keqpërdorimin e një kontrate mes Telekomit të Kosovës dhe një operatori ekonomik.

Në prangat e policisë kanë rënë edhe Kreshnik Musliu, vëllai i ish-shefit të marketingut në Telekom, Trim Musliut dhe Denis Ceman, ish-këshilltari i ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Agim Veliut.

Po ashtu nën pranga ishte vënë edhe ish-drejtori i Financave dhe Thesarit, Armend Osaj.

Burime të Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë Themelore në Prishtinë kishin mësuar se Musliu po dyshohet se ka falsifikuar shkresat zyrtare dhe ka përvetësuar pasuri të Telekomit, në atë mënyrë që më 21 janar të vitit 2019, ka bërë tërheqjen e 239 aparatave telefonikë celularë, me qëllim të shpërndarjes te klientët e Valës, mirëpo këtë pasuri e ka përvetësuar për vete apo për persona të tjerë në mënyrë të kundërligjshme, duke mos i shpërndarë te klientët.

Ndërsa, sipas burimeve të Sinjalit brenda prokurorisë, Osaj më 19 shtator 2019 nga depoja e Telekomit ka bërë tërheqjen e 239 aparatave celularë, me qëllim që t’i shpërndajë te klientët e Valës, sipas kontratave paraprake, me gjoja qëllim të rritjes së të hyrave të Valës, mirëpo këto aparate nuk i ka shpërndarë te klientët e paraparë, sipas rregullores, duke falsifikuar shkresën se kinse i ka dorëzuar 38 aparate telefonike Postës së Kosovës, saktësisht personit përgjegjës, Burim Gecit.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin