Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar Policinë në Vushtrri, ndërsa personi që dyshohet se i shkaktoi ato ka arritur të zhduket në drejtim të malit.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur pasditen e së dielës në fshatin Gojbulë, ku njësitë policore ndodheshin në terren për verifikimin e një informate tjetër.
Në ato momente, zyrtarët policorë kanë dëgjuar krisma armësh që dyshohet se vinin nga shpati i malit. Sipas burimeve, policët kanë arritur të vërejnë një person të panjohur duke u larguar me shpejtësi në drejtim të zonës malore.
Menjëherë janë angazhuar njësitë përkatëse për lokalizimin dhe kapjen e tij, por i dyshuari ka arritur t’u ikë autoriteteve dhe ende nuk është identifikuar.
Në vendin ku dyshohet se janë shkrepur të shtënat, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy gëzhoja të armës së gjatë të kalibrit 7.62×39 mm, municion që zakonisht përdoret në armë të tipit kallashnikov.
Sinjali mëson se në kuadër të hetimeve janë intervistuar katër persona në cilësinë e dëshmitarëve – A.G. (19 vjeç), A.Z. (45 vjeç), G.H. (25 vjeç) dhe G.A. (50 vjeç) – të cilët, sipas Policisë, kanë pasur mosmarrëveshje të mëhershme lidhur me një kontest pronësor.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe arrestimin e personit që dyshohet se hapi zjarr.
Një konflikt i vjetër për pronë, krisma në drejtim të malit dhe një person që u zhduk para syve të Policisë – Gojbula u kthye në skenë hetimesh të reja.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!