Të shtëna me armë zjarri kanë alarmuar banorët e një lagjeje në Kaçanik mbrëmjen e së martës, ndërsa Policia ka identifikuar dhe arrestuar personin që dyshohet se shkaktoi incidentin, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 22:35 Policia ka pranuar informacion për disa krisma të dëgjuara në lagjen Burrniku të fshatit Kovaçec.
Pas veprimeve të shpejta hetimore, zyrtarët policorë kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin, Murat Koraçin.
Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se bashkë me një shok kishte shkuar në periferi të fshatit me veturë, ku më pas kishte marrë armën e zjarrit dhe kishte shtënë katër herë në ajër.
Pas të shtënave, sipas deklarimit të tij, ai ishte kthyer në shtëpi, kishte lënë armën dhe më pas ishte larguar drejt qytetit.
Policia ka sekuestruar armën e zjarrit që dyshohet se është përdorur në rast, ndërsa lidhur me ngjarjen është njoftuar Prokurori kujdestar.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për veprat penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, Murat Koraçi është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!