image Ekskluzive: Krimi i Jeton Buqukut, pamje skandaloze të rrahjes dhe presionit ndaj një personi për të dëshmuar

Skandaloze

Ekskluzive: Krimi i Jeton Buqukut, pamje skandaloze të rrahjes dhe presionit ndaj një personi për të dëshmuar

news image

Biznesmeni nga Peja Jeton Buquku, pronar i fabrikës për përpunimin e mishit “Buquku”, i dënuar për kontrabandë është përfshirë në një skandal. Në lokalin e vet ‘Buquku Grill House’, Jeton Buquku, dyshohet se ka ushtruar presion dhe dhunë ndaj një personi për të dëshmuar për disa incidente te bizneset e tij, para më shumë se një viti. Sinjali ka siguruar video ekskluzive të rrahjes dhe gjithë rastit që ndodhi më 21 shkurt të vitit 2023.

Dy muaj pasi kishin ndodhur të shtënat me armë zjarri në drejtim të mishtores ‘Buquku’ në rrugën “Bill Clinton” në Pejë, Jeton Buquku kërkonte t’i qëronte hesapet vet me personat e përfshirë.

Për këtë ‘punë’, ai kishte siguruar disa biseda të viktimës që e rrahu më pas, me një person të tretë, ku pretendonte se i njëjti kishte thënë se i njeh personat e përfshirë në ato incidente. Duke e kërcënuar se duhet me “pjellë” atë person, Buquku shihet dhe dëgjohet teksa i bën presion viktimës që ajo çështje mos të zgjatet.

Të ulur në restorantin ‘Buquku Grill House’, Jeton Buquku nis bisedën me të riun, viktimë e tij (emër i njohur për redaksinë), duke i kërkuar llogari se çfarë informacionesh ka për personat që janë përfshirë në rastet ku është ai i dëmtuar. 

Viktima insiston vazhdimisht se ato informacione janë thashetheme dhe se nuk është në dijeni pë ata persona, ndërsa presioni nga Jeton Buquku vazhdon, derisa në një moment në bisedë kycet përmes telefonit një palë e tretë.

Siç merr vesh Sinjali, bëhet fjalë për Florim Shabin, i njohur si Duli, nofkë kjo me të cilën i drejtohet edhe Jeton Buquku. Ky i fundit, në momentin që e telefonon Dulin, kërkon nga të dy të përfundojë kjo punë.

“Veç një sen te keni të kjartë. Qit muhabet unë sonte du me qitë qitu edhe mu kry kjo farë pune. Veç kallxomni ku është hesapi, s’bon as nesër, as t’dillën as t’shtunën. Kallxom çka të ka thonë ky djali” – i drejtohet Buquku personit në telefon, Dulit.

Teksa Duli i jep llogari Buqukut se çfarë kishte deklaruar viktima, ai fjaloset me këtë të fundit, për bisedën që pretendohet se kanë pasur, deri në një moment kur viktima thotë se “qai njeri unë kom adresë të gabume që osht qai.”

Situata eskalon pasi viktima thotë se “nuk e di, kom gabu, qikaq, a me zor a çka…Kom dyshu nuk është qashtu. Me ditë t’kisha kallxu” dhe në ato momente Jeton Buquku revoltohet, raporton Sinjali.

Ai dëgjohet duke i thënë viktimës se “Duhet me qitë njerin. Duhet me pjellë njerin. Kur të bohen pesë minuta duhet me pjellë” dhe papritmas fillon ta godas, siç shihet në pamjet e mëposhtme.

Viktima kërkon ndihmë teksa Jeton Buquku e rrah dhe e detyron të ulet dhe të bisedojnë sërish, ndërsa ai kërkon ndihmën e Policisë, teksa personi tjetër Duli i thotë “Mos e lësho”.

 Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja të rastit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/