image Ekskluzive: KPK ua mbyll gojën monitoruesve të konkursit për Kryeprokuror të Shtetit – asnjë detaj nuk guxon të dalë jashtë procesit

Drejtësi

Ekskluzive: KPK ua mbyll gojën monitoruesve të konkursit për Kryeprokuror të Shtetit – asnjë detaj nuk guxon të dalë jashtë procesit

news image

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur rregulla të rrepta konfidencialiteti për monitoruesit që do të përcjellin procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

Burimet e Sinjalit brenda KPK kanë konfirmuar se monitoruesit obligohen ta nënshkruajnë para se të lejohen të ndjekin procesin, një deklaratë e cila ua ndalon pothuajse çdo formë komunikimi për atë që shohin, dëgjojnë apo mësojnë gjatë monitorimit.

Sipas burimeve, ndonëse janë shpreh te rezervuar, tashmë të gjithë monitoruesit janë zotuar se do të mbajnë në fshehtësi çdo informacion që lidhet me procesin, duke filluar nga verifikimi i kandidatëve e deri në përfundimin e procedurës së emërimit. Po ashtu, atyre u ndalohet të zbulojnë çfarëdo informacioni për integritetin, personalitetin, pyetjet, përgjigjet apo diskutimet që zhvillohen gjatë intervistimit të kandidatëve. 

Zotimi shkon edhe më tej. Monitoruesit obligohen të mos diskutojnë me askënd jashtë procesit për përmbajtjen e intervistave, ndërsa u ndalohet përdorimi i telefonit, internetit, kamerës apo çdo mjeti tjetër komunikimi gjatë monitorimit.

Praktikisht, kushdo që pranon të monitorojë garën për postin më të lartë prokurorial në vend, duhet paraprakisht të heqë dorë nga publikimi i çdo informacioni që mund të mësojë gjatë procesit.

Kjo ka ngritur pikëpyetje lidhur me balancën ndërmjet transparencës publike dhe konfidencialitetit të procedurës, veçanërisht duke pasur parasysh se monitoruesit ftohen pikërisht për të garantuar besueshmërinë dhe integritetin e procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit. 

Dokumenti rezulton se është bërë obligativ për t’u nënshkruar në kuadër të procesit të monitorimit të konkursit aktual për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit, procedurë që tashmë ka hyrë në fazën e vëzhgimit nga përfaqësues të jashtëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/