Një kontroll rutinë i Policisë së Kosovës në kryeqytet ka çuar në zbulimin dhe sekuestrimin e një arme zjarri me municion, ndërsa ndaj një 40-vjeçari është iniciuar procedurë penale, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur mbrëmjen e së hënës, rreth orës 23:00, në rrugën “Ramiz Cernica” në Prishtinë.
Gjatë një pike kontrolli, njësitë e NJRSH-së kanë ndaluar për verifikim një automjet BMW me targa vendore, që drejtohej nga Musa Halilaj, rreth 40-vjeçar.
Burimet bëjnë të ditur se gjatë legjitimimit, 40-vjeçari u ka treguar vetë zyrtarëve policorë se në automjet posedonte një armë zjarri. Gjatë kontrollit të çantës së dorës, e cila ndodhej në ulësen e pasagjerit, është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e markës “Sarsilmaz”, së bashku me një karikator të mbushur me 13 fishekë të kalibrit 9×19 mm.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor “Jugu”, ku gjatë intervistimit ka deklaruar se armën e posedonte me leje për shenjëtari, por jo edhe me autorizimin e nevojshëm për bartjen e saj, pasi dispononte vetëm lejen për posedim.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rasti për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Arma është sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa Musa Halilaj është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!