image Ekskluzive | Kontrabandistët sfidojnë Policinë në veri, zyrtarët detyrohen të qëllojnë me armë – arrestohet një i dyshuar

Ekskluzive

Ekskluzive | Kontrabandistët sfidojnë Policinë në veri, zyrtarët detyrohen të qëllojnë me armë – arrestohet një i dyshuar

news image

Një operacion policor kundër kontrabandës në veri të Kosovës është shoqëruar me përdorimin e armës zyrtare, pasi disa automjete të dyshuara refuzuan t’u binden urdhrave të Policisë, raporton Sinjali.

Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është Vladan Stevanoviq, 40 vjeçat.

Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të 19 korrikut, rreth orës 03:30, në fshatin Bube të Zubin Potokut, ku njësia policore gjatë patrullimit ka hasur disa automjete të dyshuara duke lëvizur në rrugën kryesore të fshatit.

Kur zyrtarët policorë kanë tentuar t’i ndalojnë për kontroll, drejtuesit e automjeteve nuk kanë respektuar urdhrat e Policisë. Sipas burimeve, për shkak të rrethanave të krijuara, zyrtarët janë detyruar të përdorin armën zyrtare, duke arritur ta ndalojnë njërin prej automjeteve dhe ta arrestojnë një nga të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të automjetit VW Sharan, me ngjyrë të hirtë, Policia ka gjetur një sasi pijesh alkoolike dhe joalkoolike, të cilat nuk kishin dokumentacion përcjellës dhe dyshohet se ishin kontrabanduar nga Serbia në Republikën e Kosovës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se nga incidenti nuk ka persona të lënduar.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e hetimeve dhe forenzikës rajonale, si dhe patrullat e Stacionit Policor në Zubin Potok. Automjeti është sekuestruar dhe është dërguar në lokacionin përkatës për ekzaminime të mëtejshme.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Kontrabandë me mallra”, ndërsa Vladan Stevanoviq është dërguar në mbajtje për 48 orë. Hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rast janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/