image Ekskluzive | Konflikti në Dragash përfundon me lëndime të rënda, 43-vjeçari arrestohet dhe dërgohet në ndalim

Ekskluzive

Ekskluzive | Konflikti në Dragash përfundon me lëndime të rënda, 43-vjeçari arrestohet dhe dërgohet në ndalim

news image

Një konflikt fizik mes dy bashkëvendësve në Dragash ka përfunduar me lëndime të rënda trupore për njërin prej tyre, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar me urdhër të Prokurorit, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 9 korrikut, rreth orës 19:20, kur Policia është njoftuar për një përleshje fizike mes dy personave.

Në të njëjtën kohë, në QKMF-në e Dragashit është dërguar për trajtim mjekësor A.XH. rreth 53-vjeçar, i cili kishte pësuar lëndime në kokë.

Pas ndihmës së parë, ai është transferuar në Spitalin Rajonal në Prizren, për shkak të natyrës së lëndimeve.

Sipas burimeve të Sinjalit, viktima ka deklaruar para zyrtarëve policorë se ishte sulmuar nga Atdhe Piraj rreth 43-vjeçar, duke pretenduar se lëndimet në kokë i kishte pësuar si pasojë e goditjeve gjatë konfliktit. I dyshuari është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar lidhur me rastin.

Në konsultim me Prokurorin e Shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa rasti është iniciuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjendja e të lënduarit po monitorohet nga mjekët në Spitalin Rajonal në Prizren, ndërsa deklarata e tij zyrtare do të merret pas përfundimit të trajtimit mjekësor. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit janë në vazhdim.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/