Punonjësit shëndetësorë në shumë raste gjatë kryerjes së detyrave të tyre përballen me pacientë e familjarë të pacientëve të cilët i fyejnë e ofendojnë për shkak të punës së tyre. Shpeshherë këto raste eskalojnë edhe në kanosje e përplasje, siç ndodhi së fundmi në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktimë në këtë rast është një specialist urolog i Spitalit Rajonal , i cili ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi u përballë me kërcënime.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari e ka telefonuar mjekun lidhur me një rast të një paciente dhe e ka kanosur seriozisht me fjalë të ndryshme.
Ndër të tjera, siç merr vesh Sinjali, i dyshuari i është drejtuar urologut me fjalët “Kom me ta zhdukë familjen, a e din kush jom unë, do të shihemi unë dhe ti…”.
Përballë kësaj situate, mjeku e ka denoncuar rastin dhe ka dhënë deklaratën e tij.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se i dyshuari akoma nuk është identifikuar.
Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e hetimit dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme për të zbuluar identitetin e të dyshuarit dhe për të siguruar prezencën e tij.