Policia e Kosovës sot ka zhvilluar një aksion policor në Gjakovë, që kishte cak një lokal ku dyshohej se ushtrohej veprimtari e kundërligjshme e bixhozit dhe organizimit të skemave piramidale. Si rezultat i këtij operacioni, dhjetë persona kanë përfunduar në prangat e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali aksioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit, të datës 22 mars, në një objekt banesor në Gjakovë.
Sinjali ka siguruar ekskluzivisht listën me emrat e të dyshuarve që janë arrestuar në lidhje me këtë rast.
Me vendim të Prokurorit, pas intervistimit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërkaq, gjatë operacionit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar: Tre aparate të lojërave të fatit (APEX); rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera; “qipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe një pistoletë me një karikator.
Sektori Rajonal i Hetimeve – DRP Gjakovë po vazhdon hetimet në lidhje me rastin, në drejtim të veprave penale: “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës”.
Sinjali do të iu mbajë të informuar në lidhje me vazhdimësinë e këtij rasti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.