Sinjali raportoi pak më parë për një rast ku një kamion i mbushur me 23 ton mjete të rrezikshme piroteknike është ndaluar gjatë mesditës së sotme në dalje të Prishtinës, duke zbuluar një rast të papërgjegjësisë ekstreme dhe rrezikimit masiv të sigurisë publike.
Siç raportoi Sinjali, rreth orës 12:00, njësi policore nga Stacioni Veriu – Prishtinë kanë ndalur një kamion me rimorkio, që po qarkullonte në dalje të autostradës “Ibrahim Rugova”, në fshatin Trudë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se kamioni me rimorkio ishte pronë e kompanisë “Alfa Centaur” sh.p.k, dhe se të dyshuarit për këtë rast janë Lis Hasani, rreth 19-vjeçar – drejtues i kamionit dhe Krasimir Borislavov, rreth 49-vjeçar – përgjegjës për ngarkesën.
Ngarkesa?
23 ton fishekë e mjete piroteknike, të transportuara pa leje nga MPB dhe pa asnjë përcjellje nga Policia, siç e kërkon ligji për substanca të rrezikshme.
Në vendngjarje ka dalë Njësia e Hetimeve të Përgjithshme, e cila pas verifikimeve ka alarmuar inspektorët e MPB-së. Këta të fundit kanë urdhëruar që kamioni të kthehet nën përcjellje policore në depon prej nga ishte nisur, ndërkohë që janë paralajmëruar masa ndaj kompanisë që organizoi transportin e jashtëligjshëm.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast penal për veprën “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa pas intervistimit të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.
Ky rast ka ngritur shqetësim serioz institucional, duke zbuluar një zbrazëti të rrezikshme në kontrollin mbi transportet me rrezik të lartë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
/GazetaSinjali/