Xhevahir Koçinaj, i njohur me nofkën “Xheki” dhe i evidentuar si recidivist i disa veprave penale, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës për të vuajtur një dënim me burg efektiv prej 10 muajsh, mëson Sinjali.
Ai është ndaluar sot dhe dërguar në vuajtje të dënimit për rastin e shtatorit të vitit 2023, ku bashkë edhe me tre persona të tjerë ishin arrestuar për drogë.
Koçnaj dhe të tjerët ishin kapur për “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimi është realizuar më 16 qershor 2026 nga njësiti për realizimin e urdhëresave në Stacionin Policor të Prizrenit, pas veprimeve operative dhe hetimore që çuan në lokalizimin e tij.
Koçinaj ishte në kërkim pasi ndaj tij ishte lëshuar një vendim i plotfuqishëm i Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin ishte dënuar me 10 muaj burg efektiv për veprën penale “Shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve”.
Pas arrestimit, ai fillimisht është shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa më pas është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.
Por, kush është Xhevahir Koçinaj, i njohur si “Xheki”?
Sipas informacioneve që posedon Sinjali, Xhevahir Koqinaj, është dyshuar për mbi 70 vepra penale.
Xheki është hetuar për vepra penale të ndryshme si ‘Vjedhje e rëndë’, ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’, ‘Vjedhje’, ‘Lëndime trupore’, ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
I njëjti kishte vjedhur edhe një armë automatike të KFOR-it turk ne Prizren, për të cilin rast ishte dënuar me rreth 5 vite burgim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!