image Ekskluzive: Këta janë zyrtarët e Komunës në Graçanicë të arrestuar për korrupsion

Siguri

Ekskluzive: Këta janë zyrtarët e Komunës në Graçanicë të arrestuar për korrupsion

news image

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka zhvilluar aksion sot në Graçanicë, ku janë arrestuar dy zyrtarë komunalë, nën dyshimet se janë përfshirë në veprat penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare” dhe “Marrje e ryshfetit”. Skema u zbulua pas hetimit të rastit dhe si rezultat, të dyshuarit u kapën në flagrancë, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se dy zyrtarët nga Drejtoria e Kadastrit dhe Pronës që përfunduan në ndalim policor janë Vladimir Stankovic dhe Zoran Mandic.

Kurse tre të dyshuarit që u liruan janë Dragana Kitic, Dusan Filipovic dhe Aleksander Kukurekovic.

Sipas dosjes, të dyshuarit kanë kërkuar nga një qytetar 25 mijë euro për përfundimin e një lënde në lidhje me bartjen e pronësisë.

“Pas marrjes se këtij informacioni hetuesit e krimeve ekonomike dhe korrupsionit nga Policia e Kosovës kanë aplikuar masat e veçanta me ç ‘rast më dt. 26.12.2024, gjatë një operacioni taktik kanë arrestuar në flagrancë dy të dyshuar me iniciale (V.S dhe Z.M) duke pranuar mjetet monetare në vlerën e cekur me lartë me qëllim të përfundimit të lëndës. Ndërsa, tre të dyshuarit tjerë dyshohet që në bashkëveprim kanë kryere veprat penale të cekura më lartë.”

Pas arrestimit të personave të dyshuar, janë kryer bastisje në tri lokacione.

“Në shtëpinë e të dyshuarit V.S., janë sekuestruar 5,000.00€ para të gatshme; në shtëpinë e të dyshuarit me iniciale D.F., janë sekuestruar 2,000.00€ para të gatshme.

Po ashtu janë sekuestruar: 7 (shtatë) telefona mobil personal, pronë e të dyshuarve të cilët do të dërgohen për ekzaminim të mëtutjeshëm.” – ka njoftuar Policia.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/