image Ekskluzive: Këta janë vëllezërit binjakë nga Prizreni që merren me drogë, njëri përfundon në qeli

Ekskluzive

Ekskluzive: Këta janë vëllezërit binjakë nga Prizreni që merren me drogë, njëri përfundon në qeli

news image

Vëllezërit Ardit dhe Artan Krasniqi nga Prizreni të cilët janë përfshirë plot herë në veprime të kundërligjshme janë emra të njohur për organet e rendit dhe të drejtësisë. Njëri ka qenë në kërkim me dy urdhërarreste e tjetri përfundoi dje në ndalim policor.

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për aksionin policor të Antidrogës që kishte cak vëllezërit binjakë.

Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se Artan Krasniqit, i cili u ndalua lidhur me rastin e drogës që u gjet në banesën e tyre i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

Si vëllai i tij, Arditi, i cili ishte cak i Antidrogës, edhe Artani është kërkuar në bazë të një urdhërese të Gjykatës, për t’u dërguar në vuajtje të dënimit prej rreth 2 vitesh. 

Të dy vëllezërit janë recidivistë të veprave penale, kryesisht që lidhen me substanca narkotike.

Pas raportimit të Gazetës Sinjali për aksionin policor të Antidrogës është lajmëruar sot në redaksi Ardit Krasniqi, duke tentuar të paraqitet si i pakapshëm për organet e rendit.

Krasniqi, i cili është dënuar për shitblerje të drogës dhe po e shijon lirinë nga  arratia, tha se nuk do të dorëzohet në Polici, por as nuk mund ta kapin me arsyetimin se është ‘një hap para tyre’.

“Mu nuk munen me m’arrestu, a bën me fshi postimin? Unë po lypi me ma fshi postimin. Mu s’munen me m’arrestu se jom një hap para tyne, gjithmonë. Na zatetemi najherë, na vjen dita mu zatet rrugës.

Policia nuk mun um kap n’dorë hiç. Unë jom ma i shpejt se ata. Nuk dorëzohna unë, me u dorëzu, shkoj dorëzohna në Hajvali. Nuk kom nevojë me u dorëzu. Për çka paguhen ata, le t’më kapin” – tha personi që u paraqit si Ardit Krasniqi.

Gjatë bisedës, ai e pranoi që bashkë me vëllain e tij binjak, Artanin, i cili tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor, janë përdorues të substancave narkotike.

“Na s’ia jepim kërkujt drogën, na jemi përdorues të drogës. Milioner jom unë. Familja jonë punojna me sene t’mira, unë me vëllain jena veç përdorues.”

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/